Soni Malaj ka reaguar publikisht ndaj lajmeve që e përfshijnë në një konflikt të supozuar me Jonida Maliqi dhe aludimeve që lidhen me Flori Mumajesi.
Gjatë spektaklit të fundit të “Ferma VIP”, këngëtarja fitoi një avantazh nga Agai, ku iu dha mundësia të shihte lajmet dhe titujt që kishin qarkulluar për të gjatë kohës së izolimit në fermë.
Mes tyre, një nga titujt që e habiti më shumë ishte ai që pretendonte se Flori Mumajesi kishte qenë “mollë sherri” mes saj dhe Jonidës.
Pas përfundimit të Prime-it, Soni vendosi të sqaronte gjithçka para banorëve, duke i cilësuar këto lajme si të pavërteta dhe të ekzagjeruara.
“Rrena komplet. I thashë Arbanës: ‘A janë për 1 prillin këto?’” – u shpreh ajo.
Artistja tregoi se ishte ndjerë realisht keq kur Jonida kishte dalë nga gara, pasi e konsideronte një konkurrente të fortë, dhe jo një person me të cilin kishte konflikte.
Ajo hodhi poshtë edhe pretendimet për ironi apo debate lidhur me “rrobat firmato”, duke theksuar se nuk ka pasur kurrë përplasje me Jonidën.
“Kurrë s’kam pasur debat me Jonidën. Kurrë në jetën time,” – tha Soni.
Në fund, këngëtarja sqaroi edhe përmendjen e emrit të Florit në këto lajme, duke treguar se lidhja e saj me të i përket një periudhe shumë të hershme të jetës.
“Unë kam qenë e fejuar. Jam ndarë, jam bërë me fëmijë, s’kam lidhje fare,” – u shpreh ajo, duke e mbyllur debatin me tone të qarta.
Deklarata e saj ka sjellë reagime të shumta në rrjet, ku shumë ndjekës kanë komentuar mënyrën se si portalet shpesh krijojnë narrativa sensacionale nga situata krejt normale.




