Moderatorja Jonida Vokshi ka dhuruar një tjetër moment që ka shkaktuar të qeshura në rrjetet sociale. Gjatë spektaklit të fundit të Big Brother VIP Kosova, një lapsus i saj në transmetim të drejtpërdrejtë nuk u ka shpëtuar syve të publikut, duke u kthyer shumë shpejt në meme.
Momenti ndodhi pak pas mesnatës, kur Jonida vendosi të bënte një urim special për bashkëshortin e saj, duke ndarë disa fjalë romantike për një nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën e saj.
Por, teksa po merrte fjalën në studio, moderatorja u ngatërrua në formulimin e saj, duke shkaktuar një situatë mjaft komike.
“Tanime pas mesnate ka hyrë dhe ora 3”, u shpreh Jonida, ndërsa në fakt synonte të uronte bashkëshortin për hyrjen e datës 3 nëntor.
Një lapsus i vogël, i cili në momentin e transmetimit nuk shkaktoi ndonjë reagim të veçantë në studio, por që publiku e kapi menjëherë.
Siç ndodh shpesh me momentet spontane të spektaklit, ndjekësit nuk e lanë të kalonte pa komentuar. Deklarata e moderatores u shpërnda në rrjetet sociale, ku nuk munguan memet dhe batutat.
Duket se Jonida Vokshi do të jetë sërish një nga personazhet që u dhuron material për humor përdoruesve të rrjeteve sociale gjatë këtij sezoni.
Në fund të fundit, në Big Brother VIP Kosova 5 nuk bëhen virale vetëm banorët, por edhe momentet e papritura të moderatorëve!




