Gjatë gjithë rrugëtimit në “Ferma VIP”, Mimoza Ahmeti dhe Sara Karaj u kthyen në dy nga banoret më të komentuara për shkak të përplasjeve dhe debateve të shpeshta mes tyre.
Mosmarrëveshjet, qëndrimet e kundërta dhe diskutimet e forta i vendosën shpesh në qendër të vëmendjes së publikut. Edhe vetë vajzat kanë pranuar në disa momente se raporti mes tyre brenda fermës nuk ishte aspak i lehtë.
Gjatë spektaklit, ato shpesh zgjodhën të mbanin distancë nga njëra-tjetra, duke shmangur bisedat e gjata apo afrimitetin, çka e bëri të dukshme vështirësinë e bashkëjetesës në format.
Por pas përfundimit të finales së Ferma VIP, duket se situata ka marrë një tjetër kthesë.
Në pamjet e publikuara nga afterparty i organizuar pas spektaklit, Mimoza dhe Sara shfaqen duke kërcyer së bashku dhe duke kaluar momente të qeta në një atmosferë miqësore.
Në videon e publikuar nga vetë Mimoza në InstaStory, dy ish-fermeret duken duke u argëtuar, ndërsa shkëmbejnë edhe gjeste të ngrohta që kanë tërhequr vëmendjen e ndjekësve.
Ajo që bëri më shumë bujë ishte fakti se videon e ka ndarë vetë Mimoza, duke bërë tag Sarën dhe duke e shoqëruar postimin me një zemër, një detaj që shumë e interpretuan si shenjë pajtimi.
Duket se me mbylljen e garës, kanë mbetur pas edhe konfliktet e fermës, ndërsa dy ish-konkurrentet po shijojnë një raport më të qetë jashtë presionit të reality show-t.




