Mbrëmja e sotme shënon nisjen e një prej formateve më të shumëpritura në televizionin shqiptar, “Ferma VIP”.
Ky reality show pritet të sjellë një kombinim mes jetës në natyrë, sfidave fizike dhe dinamikave sociale mes personazheve të njohur. Ky edicion do të drejtohet nga Arbana Osmani, duke rritur edhe më shumë interesin e publikut.
Ndërsa lista e plotë e konkurrentëve mbetet ende në fokus të kuriozitetit, është konfirmuar pjesëmarrja e një emri që pritet të sjellë energji dhe humor: aktori i njohur Elvis Pupa.
Në një intervistë në podcastin “Zë me Mirën”, Pupa ka ndarë më shumë rreth vendimit të tij për t’iu bashkuar këtij formati. Me stilin e tij karakteristik plot humor, ai tregoi se shtysa kryesore ka ardhur nga bashkëshortja e tij, Belina Pupa, e cila e ka inkurajuar të marrë pjesë.
“Mendjen për t’u futur te ‘Ferma VIP’ ma mbushi Belina. Herën e parë në Big Brother VIP ika se 16 vjet me gruan. Thashë të rri 2 muaj në qetësi. Do ti që i pëlqeu kjo qetësi asaj, tha futu dhe te ‘Ferma’,” u shpreh ai me humor.
Pjesëmarrja e Elvis Pupës konsiderohet si një nga elementët më të fortë të këtij edicioni, duke marrë parasysh natyrën e tij spontane dhe aftësinë për të krijuar situata argëtuese.




