Mbrëmja e sotme pritet të jetë një nga më të komentuarat në televizionin shqiptar, pasi “Ferma VIP” ka paralajmëruar zhvillime të forta pas një jave plot debate, tensione dhe incidente që kanë mbajtur publikun të fokusuar te formati.
Në qendër të vëmendjes mbetet situata e Fabjola Elezaj, ndërsa audienca pret të mësojë se çfarë do të ndodhë me të gjatë spektaklit të sotëm.
Por ndërkohë, duket se Top Channel ka zgjedhur të mos ia lërë gjithë vëmendjen formatit rival. Në të njëjtin orar me “Prime”-in e “Ferma VIP”, televizioni ka paralajmëruar një intervistë që pritet të tërheqë interes të madh.
Përmes një postimi zyrtar në rrjetet sociale, është bërë e ditur se emisioni Goca dhe Gra do të transmetojë në orën 21:00 intervistën e ish-banores së Big Brother VIP 5, Brikena Selmani.
Brikena, e cila kaloi 113 ditë në izolim brenda shtëpisë së BBV, pritet të rrëfejë për herë të parë emocionet, prapaskenat dhe eksperiencën e saj në format.
Kjo përballje direkte në të njëjtin fashë orari është interpretuar nga ndjekësit si një tjetër episod i “luftës” për audiencë mes televizioneve dhe formateve më të ndjekura të momentit.




