Vetëm pak momente pas largimit nga “Ferma VIP”, Fabjola Elezaj (Ola) ka bërë reagimin e saj të parë publik, duke u shfaqur e penduar dhe reflektuese për ngjarjet që çuan në eliminimin e saj.
Kujtojmë se largimi i Olës erdhi pas një televotimi të hapur nga produksioni, ku publiku vendosi nëse ajo duhej të vazhdonte apo jo rrugëtimin në reality show.
Ky vendim u mor pas incidentit të rëndë që shkaktoi debat të madh në rrjet, ku banorja përdori gjuhë të papërshtatshme ndaj moderatores Arbana Osmani gjatë transmetimit.
Në një video-mesazh të shkurtër pas daljes nga ferma, Ola pranoi publikisht se fundi i eksperiencës së saj nuk shkoi ashtu siç kishte dëshiruar.
“Fundi nuk ishte ai që doja, por ai që meritova,” – u shpreh ajo, duke falënderuar publikun që, sipas saj, pa dhe gjykoi gabimin që bëri.
Me këtë reagim, ish-banorja duket se ka zgjedhur të reflektojë mbi situatën dhe t’i japë fund polemikave që dominuan ditët e fundit në “Ferma VIP”.




