Promoja e fundit e Ferma VIP ka ngjallur shumë interes te publiku, jo vetëm për konceptin e reality show-t, por edhe për cilësinë e lartë vizuale që vihet re në realizim. Pas kësaj paraqitjeje duket se qëndron një investim shumë i madh financiar.
Sipas raportimeve, projekti që do të moderohet nga Arbana Osmani konsiderohet një nga produksionet më të kushtueshme televizive, me një buxhet që përflitet se shkon në miliona euro. Thuhet gjithashtu se një pjesë e mirë e stafit teknik dhe ekspertiza profesionale janë angazhuar nga Italia.
Për të treguar nivelin e punës që po bëhet, regjisori i programit, Eduart Grishaj, ka ndarë në rrjetet sociale një video nga prapaskenat e xhirimeve. Në pamje ai shihet mes pajisjeve moderne, duke shpjeguar se produksioni po përdor teknologji të nivelit kinematografik.
“Jemi praktikisht në një set filmi. Po xhirojmë me dy kamera ‘Arri’, që janë të njëjtat që përdoren për filmat në të gjithë botën. Skenografia, ndriçimi dhe çdo element tjetër është në standardin më të lartë. Besoj se këtë vit cilësia do të jetë vërtet e jashtëzakonshme. Nuk po lëmë asnjë detaj mangut,” – shprehet Eduart Grishaj në video.
Këto deklarata vetëm sa shtojnë pritshmëritë e publikut për Ferma VIP, duke lënë të kuptohet se formati synon të vendosë një standard të ri në realizimin e reality show-ve në Shqipëri.





