Vrasja e 49-vjeçares Arlinda Sylaj Zekaj në Pejë ka tronditur opinionin publik, ndërsa dyshohet se ajo u vra me sëpatë nga kunati i saj. Ngjarja e rëndë ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për dhunën në familje dhe kërkesat për ndihmë që viktima dyshohet se kishte bërë para se të humbiste jetën.
Mes personazheve publike që kanë reaguar për këtë tragjedi është edhe këngëtari Yll Limani, i cili përmes disa postimeve në InstaStory ka shprehur dhimbjen dhe zemërimin e tij, duke vënë në pikëpyetje edhe përgjegjësinë e institucioneve në mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Fillimisht, artisti ka ndarë lajmin për vrasjen e Arlindës, duke rikujtuar se ajo dyshohet se kishte raportuar dhunën dhe kishte kërkuar ndihmë përpara se të vritej.

Ylli Limani via Instagram Story
Më pas, Ylli ka publikuar edhe letrën që Arlinda dyshohet se i kishte dërguar Prokurorisë vetëm tri ditë para ngjarjes tragjike. Në këtë letër, 49-vjeçarja kishte shprehur frikën për jetën e saj dhe kishte paralajmëruar për pasojat që mund të sillte mungesa e reagimit nga institucionet përgjegjëse.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, thuhet në letrën e publikuar nga këngëtari.

Ylli Limani via Instagram Story
Këto fjalë kanë prekur thellë artistin, i cili ka shprehur vështirësinë për t'i lexuar ato pa ndier dhimbje dhe zemërim. Bëhet fjalë për një grua që, sipas letrës së publikuar, kishte shprehur qartë frikën për jetën e saj dhe kishte kërkuar mbrojtje përballë dhunës.
Në reagimet e tij, Yll Limani ka kërkuar që rasti i Arlindës të mos harrohet, duke theksuar se çdo zyrtar për të cilin vërtetohet se ka dështuar në përmbushjen e detyrave duhet të mbajë përgjegjësi.
Këngëtari ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e ndërhyrjes në kohë dhe të mbrojtjes së menjëhershme të çdo gruaje që denoncon dhunën dhe vazhdon të jetë e rrezikuar.
Në fund të reagimit të tij, Ylli ka shprehur dhimbjen për humbjen e 49-vjeçares dhe u ka përcjellë ngushëllimet familjarëve të saj, duke theksuar se Arlinda meritonte të vazhdonte jetën.
“Jom i pikëllum dhe i revoltum që sot po i lexojmë fjalët e Arlindës tu e dit që ajo s’osht ma. Ngushëllime familjes. Arlinda e meritonte me e vazhdu jetën e saj 💔”, ka shkruar Yll Limani.

Ylli Limani via Instagram Story




