Erion Veliaj me mesazh të fortë për Edi Ramën? Deklarata nga qelia pas zhvillimeve në Serbi...

Erion Veliaj me mesazh të fortë për Edi Ramën? Deklarata nga qelia pas zhvillimeve në Serbi...

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga qelia pas zhvillimeve politike në Serbi, duke përshëndetur lëvizjen studentore që prej dy vitesh protestonte kundër qeverisjes së Aleksandër Vuçiçit.

Megjithatë, deklarata e Veliajt ka tërhequr vëmendje edhe për mesazhin e mundshëm ndaj kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur edhe Shqipëria po përballet me protesta studentore që kërkojnë largimin e qeverisë.

“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi dhe përballjes me Listën Studentore.

Por vëmendjen më të madhe e ka marrë mesazhi i tij për rolin e protestave studentore në ndryshimet politike.

“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shprehet ai.

Instagram Post
De9FpgYuTfL

Deklarata vjen në një moment kur studentët në Tiranë po protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës. Veliaj, ndonëse pjesë e Partisë Socialiste, nuk ka bërë një reagim të ngjashëm publik për protestat në Shqipëri.

Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse urimi për studentët serbë përmban edhe një mesazh të tërthortë për Ramën, apo nëse bëhet fjalë vetëm për një koment mbi zhvillimet politike në vendin fqinj.

Duke theksuar se protestat studentore mund t’i japin fund një mënyre të caktuar qeverisjeje, Veliaj nënvizon se asnjë pushtet nuk është i përhershëm dhe se politika duhet t’u përgjigjet kërkesave dhe pritshmërive të brezit të ri.