Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes në “Ferma VIP” ka qenë ai i balerinit të njohur Ilir Shaqiri, i cili u përball me një surprizë që e emocionoi thellësisht.
Prej gati dy muajsh pjesë e formatit, Iliri ka folur shpesh për mallin që ndjen për familjen dhe veçanërisht për vajzën e tij, Emily, me të cilën ka një lidhje shumë të fortë.
Gjatë spektaklit, produksioni vendosi ta vendoste përballë disa lajmeve të rreme si pjesë e një shakaje. Njëri prej tyre pretendonte se vajza e tij ishte martuar pa dijeninë dhe praninë e të atit.
Edhe pse Iliri tha se nuk besonte që Emily do të merrte një vendim kaq të rëndësishëm pa të, emocionet e tradhtuan menjëherë.
Teksa lexonte lajmin, balerinit nisën t’i dridheshin duart dhe sytë iu mbushën me lot, duke prekur jo vetëm fermerët në shtëpi, por edhe publikun që ndiqte spektaklin.
Pak minuta më vonë, produksioni zbuloi se gjithçka kishte qenë vetëm një shaka. Por surpriza nuk përfundoi aty.
Iliri u emocionua edhe më shumë kur në fermë hynë vajza e tij, Emily, dhe partneri i saj. Mes lotëve, përqafimeve dhe emocioneve të forta, çifti ndau me të edhe një lajm të bukur: ata kanë nisur të mësojnë dhe studiojnë gjuhën shqipe.




