Poetja e njohur Mimoza Ahmeti, aktualisht pjesë e Ferma VIP, ka ndarë një histori të ndjerë nga jeta e saj personale, duke folur hapur për lidhjen me partnerin e saj me origjinë nga Polonia.
Gjatë një bisede të sinqertë me Ervinin, ajo tregoi se njohja e tyre nisi në mënyrë krejt të pazakontë, përmes rrjeteve sociale. Sipas saj, ai kishte vite që i shkruante në Facebook, edhe pse nuk dinte asnjë fjalë shqip, duke përdorur përkthimin automatik për të kuptuar shkrimet e saj.
“Po kishte nja dy-tre vjet që më shkruante… mendova ‘tek kjo grua mund të gjej diçka’,” kujtoi ajo, duke shtuar se në fillim kishte hezituar për shkak të diferencës në moshë.
Rrëfimi mori një kthesë më emocionale kur Mimoza foli për sakrificat që ka bërë për partnerin e saj, i cili po përballet me një sëmundje të rëndë. Ajo tregoi se ka marrë një shtëpi me qira në Sauk dhe madje ka dhënë me qira shtëpinë e saj për të siguruar më shumë të ardhura për ta ndihmuar.
“Është një sakrificë që e kam bërë për dashurinë…,” u shpreh ajo, duke shtuar se pavarësisht vështirësive dhe karakterit të tij të fortë, lidhja mes tyre vazhdon.
Historia e saj ka prekur publikun, duke treguar një anë më të ndjeshme dhe reale të jetës së saj, përtej ekranit dhe spektaklit.




