Donald Veshaj duket se po zgjeron aktivitetin e tij përtej ekranit, duke hyrë fuqishëm në sektorin e ndërtimit dhe investimeve të pasurive të paluajtshme.
Prej ditësh në media po qarkullon lajmi se aktori ka aplikuar për ndërtimin e një kulle 33-katëshe në Vlorë, projekt që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe rrjeteve sociale.
Sipas dokumenteve të publikuara, në mars të vitit 2024 është krijuar kompania “DGC” sh.p.k., e fokusuar në ndërtim dhe investime. Në këtë kompani, Donald Veshaj zotëron 50% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i përket ortakut të tij, Glenis Çobo.
Dyshja synon të realizojë një projekt të madh rezidencial dhe hotelerie, i cili parashikon 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë në zonën bregdetare të Vlorës.
Së fundmi janë zbuluar edhe detaje të reja për partnerin e Donaldit në këtë sipërmarrje. Sipas raportimeve mediatike, Glenis Çobo përflitet të ketë lidhje familjare me biznesmenin dhe deputetin Vullnet Sina, i njohur edhe si pronari i rrjetit “Big Market”.
Ky informacion ka shtuar akoma më shumë interesin rreth projektit, i cili po konsiderohet si një nga investimet më tëdiskutuara të momentit në qytetin e Vlorës.
Tashmë mbetet të shihet nëse projekti do të marrë miratimin përfundimtar dhe kur do të nisë konkretisht ndërtimi i kullës që ka bërë kaq shumë bujë në publik.




