Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka sjellë reagime të shumta edhe nga personazhe të njohura të showbiz-it shqiptar. Gjykata kishte caktuar 16 shtatorin 2026 për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë.
Mes reagimeve që tërhoqën vëmendjen ishte ai i Xhensila Myrtezajt. Këngëtarja publikoi në Instagram një mesazh të shkurtër, duke e cilësuar vendimin si “turpin më të madh që mund të ndodhte ndonjëherë”, ndërsa e mbylli reagimin me fjalët:
“Liri për çlirimtarët.”

Xhensila Myrtezaj via Instagram Story
Por Xhensila nuk ishte e vetmja figurë publike që reagoi.
Edhe Bora Zemani publikoi në InstaStory një fotografi të katër ish-drejtuesve të UÇK-së, duke shkruar:
“Turp! Dënohen çlirimtarët! Historia nuk mund të zhbëhet nga asnjë vendim! Sakrifica për liri nuk mund të dënohet!”

Bora Zemani via Instagram Story
Një reagim më të gjatë bëri Elton Tozaj, i cili kundërshtoi publikisht vendimin dhe shkroi ndër të tjera:
“Fajtor sepse luftove për lirinë dhe vendin tënd? Ky është turp”, ndërsa u bëri thirrje ndjekësve të tij të mos heshtin.

Elton Tozaj via Instagram Story
Ndërkohë, Sara Gjordeni publikoi një fotografi teksa ndiqte raportimin televiziv për vendimin, të shoqëruar me mbishkrimin:
“WOW! Pa fjalë!”

Sara Gjordeni via Instagram Story
Edhe Loreana Brati reagoi përmes rrjeteve sociale. Ajo publikoi një fotografi nga lufta në Kosovë dhe e cilësoi vendimin si “një thikë në zemër për ne shqiptarët”, duke shtuar: “Kjo s’është drejtësi.”

Loredana Brati via Instagram Story
Në mesin e personazheve që reaguan ishte edhe aktori Bes Kallaku. Ai publikoi emblemën e UÇK-së, duke e cilësuar vendimin si “të padrejtë ndaj historisë dhe dinjitetit të një kombi”.
Romeo Veshaj ndau gjithashtu një imazh me emblemën e UÇK-së, shoqëruar me mesazhin:
“Turp! Liri për ata që sollën lirinë! Heronjtë nuk kërkojnë lavdi. Kërkojnë drejtësi!”

Romeo Veshaj via Instagram Story
Në të njëjtën linjë ishte edhe Egli Tako, e cila publikoi emblemën e UÇK-së dhe shkroi shkurtimisht:
“Çfarë padrejtësie…”

Egli Tako via Instagram Story
Reagimet e personazheve të njohur erdhën në të njëjtën ditë me shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë. Çështja ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së përfshinte akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe kishte nisur me hapjen e gjykimit në prill 2023.
Ndërsa personazhet publike kanë shprehur qëndrimet e tyre përmes rrjeteve sociale, procesi gjyqësor dhe vendimi i shkallës së parë vijojnë të jenë objekt i procedurave ligjore, përfshirë mundësinë e apelimit.




