Pas përfundimit të “Ferma VIP 3”, disa nga ish-konkurrentët më të komentuar kanë ndarë në emisionin “Mes’ Dritë” përjetimet e tyre pas daljes nga reality show, raportet me ish-banorët dhe mënyrën se si janë pritur nga publiku.
Romir Zalla, një nga gjysmëfinalistët e këtij edicioni, tregoi se rikthimi në jetën e përditshme nuk ka qenë aq i lehtë sa e kishte imagjinuar. Aktori foli edhe për mënyrën se si është interpretuar loja e tij nga publiku, duke thënë se shpesh është ndjerë i keqkuptuar.
Ndërkohë, Indri u ndal te marrëdhëniet me ish-banorët e tjerë, duke zbuluar se pas përfundimit të aventurës jo të gjithë kanë ruajtur të njëjtin komunikim me të.
I pyetur për raportin me Vanesën pas daljes nga ferma, Indri tregoi se takimi i tyre i fundit nuk ka qenë siç e kishte pritur.
“Mbrëmë u takuam me Vanesën. Patëm një takim shumë të ftohtë nga ana e saj. Mua më erdhi spontanisht ta përqafoja, por ajo me të drejtë më distancoi”, u shpreh ai.
Ai shtoi se disa ish-konkurrentë të tjerë gjithashtu nuk kanë ruajtur kontaktin me të, duke thënë se nuk e kupton arsyen e kësaj distance.
“Gresa nuk më foli, nuk e di çfarë ka me mua. Edhe Malbora nuk më flet. Unë flas me të gjithë, por ka disa që nuk më flasin mua”, tha Indri.
Megjithatë, ai theksoi se pas përfundimit të garës preferon të mbajë mend vetëm momentet e bukura dhe jo keqkuptimet që lindën gjatë qëndrimit në fermë.
Në fund, Indri nuk i kurseu vlerësimet për Vanesën, duke e cilësuar zërin e saj si një ndër më të veçantët.
“Vazhdoj të mendoj se Vanesa ka një nga zërat më të bukur dhe më të çmuar në panoramën shqiptare dhe atë ndërkombëtare”, deklaroi ai.




