Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Alba Pollozhani, ka reaguar me tone të forta në rrjetet sociale pas natës së parë të Sunny Hill Festival, duke shprehur pakënaqësinë e saj për mënyrën se si u prezantuan simbolet kombëtare gjatë koncertit.
Sipas Albës, gjatë performancës së Katy Perry në skenë u shfaq vetëm flamuri i Kosovës, ndërsa mungesa e flamurit shqiptar nuk duhet të kishte ndodhur në një festival me jehonë ndërkombëtare.
Në disa InstaStory dhe komente në Instagram, ajo ngriti publikisht pyetjen:
“Pse vetëm flamurin blu, e jo edhe flamurin e Shqipërisë?”

Alba Pollozhani via Instagram Story
Me këtë reagim, Alba kritikoi organizatorët e festivalit, Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa, duke argumentuar se një event i tillë duhet të promovojë edhe flamurin kuqezi, përveç atij të Kosovës.
Në një tjetër postim, ish-banorja e BBVK shprehu pakënaqësi edhe ndaj artistëve shqiptarë që performuan në festival, duke i akuzuar se nuk kanë reaguar për këtë çështje.
Ajo shkroi se ata “marrin paratë e biletave” dhe zgjedhin të heshtin, ndërsa i cilësoi si “njerëz të shitur”, duke u bërë thirrje të mbajnë një qëndrim publik.

Alba Pollozhani via Instagram Story
Sunny Hill Festival, i themeluar nga Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa, zhvillohet çdo vit në Prishtinë dhe konsiderohet një nga festivalet më të rëndësishme muzikore në rajon. Edicioni i këtij viti ka sjellë në skenë emra të njohur ndërkombëtarë, mes tyre edhe Katy Perry.
Deri më tani, Dua Lipa, Dukagjin Lipa apo organizatorët e Sunny Hill Festival nuk kanë reaguar publikisht ndaj kritikave të bëra nga Alba Pollozhani.




