Vetëm tri ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj u kishte drejtuar letra institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe hetim ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat. Në mesazhet e saj, 49-vjeçarja shprehte frikën për jetën, zhgënjimin nga institucionet dhe shqetësimin se mungesa e veprimeve konkrete mund të sillte pasoja tragjike.
Më 25 tetor 2026, Arlinda u vra në fshatin Vitomiricë të Pejës. Sipas informacioneve të publikuara, ajo dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj, i cili vijon të jetë në kërkim.
Pas ngjarjes së rëndë, rasti ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si ishin trajtuar denoncimet e saj dhe nëse institucionet kishin ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur.
Në një shkresë të datës 22 tetor 2026, të pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Arlinda Zekaj kërkonte marrjen e masave urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, po ia kalonin përgjegjësinë njëri-tjetrit, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.
Ajo kërkonte zbatimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj personave të përfshirë, duke përmendur edhe Qendrën për Punë Sociale.
Në fund të letrës, ajo kishte lënë një mesazh që, pas vrasjes së saj, merr një domethënie veçanërisht tronditëse:
“E nderuar kryeprokurore,
Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësitë te njëri-tjetri, e kështu duke lënë që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojë.
Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhërit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja.
Kjo është shtesa ime e fundit e akteve.
Uroj që të mos vijë ditë kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.
Tanë po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!
Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan jo burrë.
E dhimbshme deri në asht!!
Me respekt,
Arlinda Zekaj”

Në një tjetër shkresë, këtë herë drejtuar kryetarit të gjykatës, Arlinda kishte kundërshtuar përgjigjen e marrë dhe kishte ngritur shqetësime për mungesën e veprimeve konkrete.
Ajo pretendonte se afatet ligjore ishin tejkaluar dhe kritikonte një vendim gjyqësor, të cilin e konsideronte kontradiktor. Sipas saj, vendimi po e vështirësonte jetën e saj dhe po ndikonte edhe në lirinë e fëmijës.
Në këtë letër, Zekaj shprehte hapur zemërimin ndaj mënyrës se si, sipas saj, institucionet po e trajtonin çështjen.
“Reagim në përgjigjen e kryetarit - urgjent!!
I nderuar z. kryetar,
Rastet nuk qenkan të rastësishme! Tani e shoh se sa kontribut japin institucionet në vrasjen e grave.
Ju jeni njoftuar me kohë - takimi me gjyqtarin, pa veprime konkrete, është zero!
Afatet ligjore janë tejkaluar dhe ligji e kompetenca e gjyqtarit nuk mund të zëvendësohen me fjalën ‘mundësi’!
Për më shumë, gjyqtari i juaj lëshon vendim kontradiktor që e bën të vështirë jetën e një gruaje dhe lirinë e një fëmije.
Harxhoni kohën dhe merruni me substancë, jo me ‘mundësi’! Nuk jeni tu luajt lloto, por tu zbatu ligj në shërbim të qytetarëve!
Pas vrasjes time nuk pres të përgjigjeni - por pres të mos mund të flini!
Faleminderit që morrët ‘kohë’ për ta arsyetu veten dhe gjyqtarin.
Me respekt,
Arlinda Zekaj”

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 19:00 të së dielës ishte raportuar një rast i dhunës në familje. Arlinda ishte intervistuar nga policia, ndërsa ish-bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia deklaroi se më pas gruaja ishte dërguar në banesën e saj në Vitomiricë me vullnetin e saj. Rreth orës 21:10, autoritetet u njoftuan se ajo ishte gjetur e vdekur.
Megjithatë, avokatja e saj, Adelina Shala, e kundërshtoi versionin se kthimi në shtëpi kishte qenë dëshira e Arlindës, duke deklaruar se klientja e saj nuk kishte kërkuar të kthehej atje. Pas ngjarjes, ajo akuzoi institucionet për dështim në mbrojtjen e 49-vjeçares.
Pas vrasjes, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi shqyrtimin e të gjitha veprimeve të ndërmarra për rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj.
Kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, iu kërkua një raport i detajuar mbi trajtimin e çështjes, përfshirë kronologjinë e denoncimeve, vlerësimin e rrezikut, masat e kërkuara ose të ndërmarra për mbrojtjen e viktimës dhe mënyrën se si ishte trajtuar letra e saj.
Edhe Inspektorati Policor i Kosovës është ngarkuar të verifikojë veprimet e zyrtarëve policorë dhe të vlerësojë nëse ekziston përgjegjësi individuale apo institucionale.
Autoritetet kanë bërë të ditur se, nëse konstatohen shkelje ligjore, neglizhencë apo mosveprime, do të ndërmerren masat përkatëse.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës ka kërkuar një hetim urgjent, gjithëpërfshirës dhe të paanshëm, ndërsa Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për protestë mbarëkombëtare të mërkurën, me kërkesën për mbrojtjen e jetës së grave.
Letrat e Arlindës, të shkruara vetëm pak ditë para vrasjes, kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një pyetje thelbësore: a u morën seriozisht kërkesat e saj për ndihmë dhe a u ndërmorën të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur? Përgjigjet pritet të dalin nga verifikimet dhe hetimet e autoriteteve përgjegjëse.




