Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestës së 24 tetorit, ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila konfirmoi se operacioni arriti të shpëtonte organin e syrit.
Përmes një reagimi publik, ministrja shprehu mirënjohjen ndaj profesor Stanislao Rizzos, mjekut që kreu ndërhyrjen, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë trajtimit të 28-vjeçarit.
Spahiu bëri gjithashtu të ditur se qeveria shqiptare ka miratuar mbështetje financiare për Erjon Vishkullin, ndërsa theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe humanizmit në situata të tilla.
“Erjon Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën ‘Gemelli’ në Romë, e cila e ka shpëtuar organin e syrit të djalit”, u shpreh ministrja.
Ajo i uroi të riut shërim të shpejtë dhe forcë për të përballuar fazat e ardhshme të rikuperimit. Megjithatë, pavarësisht rezultatit pozitiv të operacionit, trajtimi i tij do të vijojë dhe ecuria e gjendjes shëndetësore do të ndiqet në vazhdim.
Ndërhyrja e suksesshme përbën një lajm shpresëdhënës për Erjonin dhe familjen e tij, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të vijojë rikuperimi dhe në çfarë mase mund të përmirësohet shikimi i tij.




