Dua Lipa në gjykatë? Këngëtarja kërkon 15 milionë dollarë...

Dua Lipa via Instagram
Dua Lipa via Instagram

Ylli botëror i muzikës, Dua Lipa, ka ngritur një padi të bujshme ndaj gjigantit teknologjik Samsung, duke kërkuar plot 15 milionë dollarë dëmshpërblim.

Sipas dokumenteve të depozituara në Gjykatën Federale të Kalifornisë, kompania akuzohet se ka përdorur imazhin e këngëtares në paketimet e disa modeleve televizorësh të shitur në SHBA, pa marrë miratimin e saj.

Në padi pretendohet se Samsung ka përfituar nga fama dhe popullariteti i artistes për të promovuar produktet e saj, duke përdorur një fotografi të realizuar gjatë performancës së Dua Lipës në festivalin “Austin City Limits” në vitin 2024.

Ekipi ligjor i këngëtares thekson se të drejtat e fotos i përkasin vetë artistes dhe se përdorimi i saj është bërë në mënyrë të paautorizuar.

Çështja mori edhe më shumë vëmendje pasi fansat në rrjetet sociale nisën ta quanin produktin “Dua Lipa TV Box”, me komente që u përfshinë edhe në dosjen gjyqësore.

Do ta blija atë televizor vetëm sepse është Dua Lipa në kuti,” – shkruante një përdorues, ndërsa një tjetër komentonte:
Mjafton të vendosësh një foto të Dua Lipës dhe produkti shitet vetë.

Padia përfshin akuza për shkelje të të drejtave të autorit, përdorim të paautorizuar të imazhit dhe shkelje të markës tregtare.

Sipas avokatëve të artistes, kompania ka injoruar vazhdimisht kërkesat për të ndalur përdorimin e fotografisë së saj.

Kujtojmë se Dua Lipa është një nga emrat më të kërkuar nga markat globale, me bashkëpunime të rëndësishme me kompani si Puma, Versace, Chanel, Apple dhe Porsche.