Olechka u krahasua me të në BBVK, Bia Khalifa thyen heshtjen: “Nuk isha e përgatitur për këtë”

Bia Khalifa via Instagram
Bia Khalifa via Instagram

Nata e parë e “Big Brother VIP Kosova 5” ka sjellë jo vetëm prezantimin e konkurrentëve të rinj, por edhe reagimet e para nga ish-banorët e formatit.

Një prej emrave që tërhoqi vëmendje gjatë spektaklit ishte Olechka, banorja me origjinë nga Bjellorusia, e cila surprizoi publikun me njohuritë e saj të gjuhës shqipe.

Aftësia e saj për të komunikuar rrjedhshëm në shqip u komentua edhe nga opinionisti Resul Sinani, i cili gjatë mbrëmjes e krahasoi me ish-konkurrenten Bia Khalifa.

Ky koment nuk kaloi pa u vënë re nga Bia, e cila vendosi të reagojë përmes rrjeteve sociale, duke ndarë edhe përvojën e saj personale nga pjesëmarrja në reality show.

Ish-banorja, e cila ka origjinë rumune, u shpreh e kënaqur që këtë sezon është pjesë e garës një konkurrente e huaj që e zotëron kaq mirë gjuhën shqipe. Megjithatë, ajo pranoi se vetë nuk kishte hyrë në shtëpi mjaftueshëm e përgatitur për këtë aspekt.

Bia kujtoi se vështirësitë me gjuhën shqipe kishin ndikuar ndjeshëm në eksperiencën e saj brenda shtëpisë. Ajo tregoi se jo gjithmonë arrinte të shprehte atë që mendonte apo të mbronte qëndrimet e saj gjatë debateve me banorët e tjerë.

Kjo eksperiencë duket se i ka shërbyer si një mësim i rëndësishëm, pasi Bia bëri të ditur se nuk do të angazhohet në projekte të tjera televizive pa përmirësuar fillimisht njohuritë e saj në gjuhën shqipe.

Bia Khalifa via Instagram Story

Në fund të reagimit, ajo nuk la pa përmendur edhe banorët e këtij edicioni, të cilëve u uroi suksese, ndërsa tregoi se është entuziaste për sezonin e ri të BBVK 5.