Miri rikthehet te aludimet me Selinën: "Më ka prekur..."

Bordo/Instagram
Bordo/Instagram

Finalisti i Big Brother VIP Albania 5, Miri, ka dhënë së fundmi një intervistë ku ka folur për rrugëtimin e tij në reality show, momentet më emocionuese dhe komentet që e kanë shoqëruar gjatë gjithë eksperiencës, përfshirë edhe aludimet që qarkulluan për raportin e tij me Selinën.

Artisti, i njohur prej më shumë se dy dekadash si pjesë e grupit legjendar West Side Family, u shpreh se pjesëmarrja në BBVIP ishte një sfidë që e vendosi përballë publikut në mënyrën më të drejtpërdrejtë.

Duke kujtuar momentet më të bukura të aventurës së tij, ai veçoi surprizën me vajzën dhe takimin me familjen në natën finale.

“Momenti më i bukur është surpriza kur erdhi vajza. Dhe momenti tjetër është kur takova familjen time në finale. Këto janë dy momentet më të bukura që kam përjetuar aty brenda”, u shpreh ai.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua edhe bashkëshortes së tij, për të cilën Miri tha se ka qenë mbështetja më e madhe gjatë gjithë eksperiencës.

Megjithatë, ai nuk i shmangu as komentet dhe perceptimet që u krijuan gjatë lojës, duke pranuar se ka pasur momente kur është ndjerë i gjykuar padrejtësisht.

“Më ka prekur kur jam gjykuar për gjëra që nuk i kam bërë. Kur perceptimi bëhet më i fortë se e vërteta, kjo të lëndon”, deklaroi këngëtari.

Kjo deklaratë është interpretuar nga shumë ndjekës si një rikthim te aludimet që qarkulluan për të dhe Selinën gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.

Në fund, Miri theksoi se nga Big Brother VIP ka fituar më shumë se sa thjesht popullaritet, duke shtuar se eksperienca e ka ndihmuar të vlerësojë më shumë njerëzit dhe të lërë pas konfliktet që i konsideron pjesë të lojës.