Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, ka deklaruar para gjykatës se veprimet për të cilat dyshohet kanë ndodhur në një moment të rënduar emocional. Gjatë seancës ai ka shprehur gjithashtu pendesë dhe ka kërkuar falje për ngjarjen.
Në lidhje me këtë situatë ka folur edhe psikologia Atifete Syla, e cila ka vlerësuar se këngëtari mund të ketë qenë në një gjendje të vështirë psikologjike. Gjatë një interviste në emisionin Weekend, ajo tha se faktorë të ndryshëm mund të kenë ndikuar në rëndimin e gjendjes së tij emocionale.
Sipas Sylës, është e mundur që ai të jetë përballur me stres post-traumatik, i lidhur me tragjedinë që ka prekur familjen e tij pas humbjes së vëllait. Ajo shtoi se edhe izolimi për rreth gjashtë muaj nga aktivitetet në spektaklet televizive mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij mendore.
Megjithatë, psikologia theksoi se pavarësisht vështirësive emocionale që mund të ketë përjetuar, kjo nuk përbën justifikim për veprimet e tij.





