Jul Deda ka reaguar publikisht pas artikullit të publikuar nga portali “Prapaskena”, ku pretendohej se aktori qëndron pas faqes “ON/OFF TV” në Instagram dhe se ndaj tij po zhvillohet një hetim nga Krimi Kibernetik.
Përmes një postimi në Instagram, Deda i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke shprehur edhe shqetësimin e tij për pretendime të tilla.
“Është shumë e rëndë të dëgjoj apo të lexoj këto fjalë për mua. E përgënjeshtroj këtë fakt me gjithë fuqinë time. Nuk do guxoja kurrë ta bëja këtë, aq më tepër për vendet ku kam punuar dhe jetuar, aq më tepër për kolegët me të cilët kam punuar”, shkruan aktori.
Deda e ka përsëritur edhe një herë mohimin e tij, ndërsa është shprehur se nuk mund të bëjë më shumë përballë akuzave të publikuara.
“Edhe njëherë, e përgënjeshtroj, se më shumë s’di ça të bëj në këtë vend. Kush më beson mirë, kush nuk më beson s’kam ça bëj. Faleminderit për mirëkuptimin”, përfundon ai.

Jul Deda via Instagram Story
Reagimi i aktorit vjen pasi “Prapaskena” pretendoi se Deda administron një llogari në Instagram që ka publikuar materiale kritike ndaj figurave të Top Channel, TV Klan dhe Syri TV.
Portali ngriti gjithashtu pretendime për një hetim nga Krimi Kibernetik, si dhe për çështje të tjera që lidhen me jetën personale të aktorit.
Me reagimin e tij, Jul Deda i mohon publikisht këto pretendime, duke deklaruar se nuk ka lidhje me administrimin e faqes në fjalë.




