Publikimi dhe qarkullimi në rrjet i disa videove intime, që pretendohet se përfshijnë persona të njohur të showbizit shqiptar, ka shkaktuar reagime të shumta dhe një debat të gjerë publik.
Mes personazheve që kanë reaguar është edhe moderatorja e Top Channel, Ori Nebijaj, e cila këtë herë ka ngritur pikëpyetje mbi momentin kur videot kanë nisur të qarkullojnë.
Pasi më herët kritikoi publikimin dhe shpërndarjen e pamjeve private, Nebijaj është rikthyer me një tjetër reagim në Instagram, duke e lidhur kohën e publikimit të materialeve me zhvillimet e fundit politike dhe hetimet që lidhen me korrupsionin dhe arrestimet.
“Dhe fakti që videot dolën tani, absolutisht ka lidhje me zhvendosjen e vëmendjes nga skandalet e korrupsionit dhe të arrestimeve të pushtetit”, shkruan moderatorja.
Më tej, Nebijaj shoqëron reagimin me një mesazh ironik: “Great Move Boss”.
Moderatorja ngre gjithashtu pikëpyetje se sa gjatë mund të zgjasë vëmendja e publikut ndaj videove, duke shkruar:
“Po 3 ditë do lepihen me këtë kockën që iu hodh, ok, po pastaj?”

Ori Nebijaj via Instagram Story
Në reagimin e saj, Nebijaj nuk përmend emra konkretë dhe nuk paraqet prova që të vërtetojnë se pas publikimit të videove qëndron shteti apo ndonjë institucion shtetëror.
Për rrjedhojë, lidhja që ajo bën mes publikimit të videove dhe zhvillimeve të fundit politike mbetet një pretendim dhe interpretim personal, dhe jo një fakt i konfirmuar.
Reagimi i fundit vjen në një kohë kur moderatorja është përfshirë edhe në një përplasje publike me gazetarin Elton Tozaj, pas qëndrimeve të ndryshme që të dy kanë mbajtur lidhur me videot intime dhe mënyrën se si kjo çështje po trajtohet në publik.
Ndërsa debati vijon, vëmendja tashmë nuk është përqendruar vetëm te videot që po qarkullojnë, por edhe te pyetjet mbi kohën e publikimit dhe arsyet e mundshme pas tyre.




