Erjon Vishkulli ka reaguar për herë të parë nga spitali në Romë, ku po merr trajtim pas lëndimit që pësoi në sy gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka ndarë me ndjekësit një përditësim mbi gjendjen e tij, duke zbuluar se situata nuk lidhet vetëm me dhimbjet e shkaktuara nga dëmtimi, por edhe me një problem tjetër që po e shqetëson: shikimin.
Në mesazhin e tij, Vishkulli është shprehur se po kalon një periudhë të vështirë, pasi krahas dhimbjes fizike, tashmë duhet të përballet edhe me pasigurinë që lidhet me shëndetin e syrit.
“Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit”, ka shkruar ai.
Megjithatë, mes këtij shqetësimi, Erjoni ka gjetur forcë te mbështetja që ka marrë nga njerëzit e afërt dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Ai ka falënderuar familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe, e kanë telefonuar apo janë lutur për shërimin e tij.
“Ju më treguat se nuk jam vetëm”, ka shkruar ai, duke lënë të kuptohet se solidariteti i treguar ndaj tij ka qenë një mbështetje e rëndësishme në këto momente.
Në fund të reagimit, Vishkulli ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë, duke e mbyllur mesazhin me një falënderim domethënës: “U shtofshin shqiptarët e mirë”.
Ndërkohë, ai nuk ka dhënë detaje të tjera mbi ecurinë e trajtimit apo prognozën për rikuperimin e shikimit.




