Moderatori Ledion Liço ka ngjallur entuziazmin e fansave të Big Brother VIP Albania, duke dhënë sinjalin e parë se spektakli i shumëpritur mund të rikthehet me një sezon të gjashtë.
Përmes një postimi të fundit në Instagram, Liço ka publikuar një fotografi nga një ambient elegant, ku shihet i ulur në divan, ndërsa përballë tij ndodhet një televizor me logon e BBVA. Një detaj që nuk u ka shpëtuar aspak ndjekësve!
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte mbishkrimi që moderatori zgjodhi të shoqëronte foton: “Thonë që ju ka marrë malli…”. Një fjali e shkurtër, por që është interpretuar menjëherë si një paralajmërim për rikthimin e formatit.
Postimi ka marrë reagime të shumta, jo vetëm nga fansat, por edhe nga personazhe që kanë qenë pjesë e këtij reality show. Mes tyre ishte edhe ish-banorja Sara Gjordeni, e cila nuk e ka lënë pa një koment plot humor.
“Mu duk si zarf i zi. Jam akoma me pasoja…”, shkroi ajo, duke iu referuar momenteve të forta që ka përjetuar gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Ndërkohë, prej javësh në rrjet po përfliten emra të ndryshëm të personazheve që mund të bëhen pjesë e BBVA 6. Megjithatë, deri më tani, produksioni nuk ka bërë publik asnjë emër zyrtar.
Mbetet për t'u parë se kur do të nisë edicioni i ri dhe cilët do të jenë protagonistët e tij. Për momentin, Ledion Liço ka zgjedhur të ngacmojë kuriozitetin e publikut, pa zbuluar ende detaje konkrete për sezonin e ardhshëm.




