Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë më shumë informacion lidhur me ndalimin e këngëtarit Gjesti. Sipas njoftimit zyrtar, artisti është vendosur në ndalim për 48 orë pasi dyshohet për përfshirje në disa vepra penale.
Autoritetet bëjnë të ditur se ai po hetohet për veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armës, për kanosje, si dhe për dëmtim ose shkatërrim të pasurisë, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Në komunikatën zyrtare theksohet se prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policia e Kosovës, është duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Prokuroria gjithashtu ka bërë të ditur se për momentin nuk mund të publikohen më shumë detaje, pasi hetimet janë ende në një fazë të hershme dhe ruajtja e konfidencialitetit konsiderohet e domosdoshme për ecurinë e procesit.





