Sezoni i pestë i Big Brother VIP Albania duket se do të zgjasë më shumë se kufiri tradicional prej 100 ditësh, një situatë që është përsëritur edhe në edicionet e mëparshme të këtij formati.
Deri tani kanë kaluar rreth 82 ditë nga nisja e spektaklit dhe brenda shtëpisë vazhdojnë të jenë ende shumë banorë në garë. Aktualisht, 14 konkurrentë janë ende pjesë e lojës, gjë që e bën të vështirë mbylljen e spektaklit brenda afatit fillestar.
Megjithëse produksioni nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar për zgjatjen e programit, raportimet mediatike sugjerojnë se rrugëtimi i banorëve mund të shtyhet edhe për rreth 30 ditë të tjera.
Sipas këtyre informacioneve, finalja e madhe e këtij edicioni pritet të zhvillohet në fund të muajit prill, më konkretisht pas datës 20 prill. Megjithatë, vendimi përfundimtar mbetet në dorën e produksionit dhe të “Vëllait të Madh”.





