Akuza pas finales së Big Brother VIP Albania: G-Bani pretendon “Çmimi ishte i paracaktuar!”

Akuza pas finales së Big Brother VIP Albania: G-Bani pretendon “Çmimi ishte i paracaktuar!”

Fitorja e Selinës në Big Brother VIP Albania ka ndezur debate të shumta në rrjet, por reagimi më i fortë ka ardhur nga ish-banori G-Bani, i cili ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj produksionit.

Përmes postimeve në rrjetet sociale, ai pretendon se rezultati ishte i paracaktuar, duke e cilësuar të gjithë procesin si një “skenar të menduar më parë”. Si “provë”, ai ka shpërndarë një publikim të bërë javë para finales, ku sipas tij kishte parashikuar renditjen e finalistëve, përfshirë edhe fitoren e Selinës.

“Vendin e parë dhe të katërt, në kokë…” – shkruan ai, duke sugjeruar se rezultatet nuk kanë qenë rastësore.

Në një analizë më të gjatë, të cilën e quan “teori konspirative”, G-Bani argumenton se pas kësaj fitoreje qëndrojnë disa arsye strategjike nga produksioni:

  • Sipas tij, ishte e nevojshme krijimi i një profili të “femrës së fortë” për të përmirësuar imazhin e formatit pas kritikave të mëparshme.

  • Ai pretendon se përzgjedhja e fitueses lidhet edhe me ndikimin te publiku i ri dhe potencialin televiziv pas spektaklit.

  • Një tjetër pikë e ngritur është strategjia për të tërhequr votat nga Kosova, përmes dinamikave mes banorëve.

  • Gjithashtu, ai përmend standarde të dyfishta, duke krahasuar mënyrën si janë trajtuar ofendimet në këtë edicion me ato të mëparshmet.

Në përfundim, ish-banori shprehet kritik ndaj mënyrës si u menaxhua sezoni, duke sugjeruar se përpjekja për të krijuar një figurë simbolike nuk ka rezultuar siç pritej.

Këto deklarata kanë shtuar edhe më shumë polemikat online, ndërsa një pjesë e publikut i sheh si pretendime personale, ndërsa të tjerë kërkojnë më shumë transparencë mbi procesin e votimit dhe produksionin e spektaklit.