A do ta shohim në BBVA 6? Alketa Vejsiu flet për “karrigen” e opinionistes...

Alketa Vejsiu via Instagram
Alketa Vejsiu via Instagram

Alketa Vejsiu ka reaguar për herë të parë ndaj zërave që e kanë lidhur me një rol si opinioniste në sezonin e gjashtë të “Big Brother VIP Albania”.

Moderatorja ishte e ftuara e parë në premierën e emisionit “Live me Luizin”, ku Luiz Ejlli e pyeti drejtpërdrejt për thashethemet që kanë qarkulluar së fundmi.

“Je përfolur se do të jesh opinioniste e Big Brother. Karrigen e kujt do të zësh?”, e pyeti Luizi.

Alketa iu përgjigj me humor, duke iu referuar pjesëmarrjes së saj si opinioniste në një nga puntatat e sezonit të kaluar:

“Unë nuk zura karrigen e askujt, më thanë të ulem se nuk ishte Arbri dhe u ula”.

Luizi sqaroi se pyetja e tij lidhej me sezonin e ri, duke e pyetur sërish për mundësinë që ajo të jetë pjesë e panelit.

Përgjigjja e Alketës nuk solli një konfirmim për BBVA 6. Madje, moderatorja e zhvendosi bisedën me humor te drejtimi i spektaklit.

“Unë do të pres të mërzitet Ledjoni”, tha ajo, përpara se të sqaronte se ishte thjesht një batutë.

“Bëj shaka, jam e lumtur që e drejton Ledioni se e bën shumë mirë. Ashtu siç Arbana e ka bërë shumë mirë dhe unë do ta bëja në atë stilin tim, por sërish shumë mirë”, shtoi Vejsiu.

Gjatë bisedës, Luiz Ejlli foli edhe për largimin e Alketës nga Top Channel, duke e krahasuar me një prej transferimeve më të bujshme në futboll.

“Dy gabime janë bërë në këtë botë, ikja e Messit nga Barcelona dhe e jotja nga Top Channel. Këtu dukesh edhe më e bukur”, i tha Luizi.

Megjithatë, deri në këtë moment, Alketa Vejsiu nuk ka konfirmuar një angazhim si opinioniste në BBVA 6, por as nuk ka dhënë një mohim të prerë. Për rrjedhojë, mbetet për t’u parë nëse ajo do të ketë apo jo një rol në sezonin e ri të reality show-t.