Një video e publikuar në rrjetet sociale nga Ledjona Xheladinaj ka përfunduar me ndëshkim nga autoritetet. Policia e Korçës ka ndërhyrë pas pamjeve ku gazetarja shfaqet duke qëndruar në këmbë mbi një automjet në lëvizje, duke marrë masa administrative ndaj pronarit të makinës.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, shtetasi me inicialet L. B., pronari i automjetit që shfaqet në video, është ndëshkuar me një gjobë prej 9 mijë lekësh, ndërsa ndaj tij është marrë edhe masa e tërheqjes së lejes së drejtimit.
Rasti u bë objekt verifikimi pas publikimit të videos në Instagram, ku Ledjona shihet duke qëndruar mbi automjet ndërsa ai është në lëvizje. Pamjet janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe kanë tërhequr vëmendjen e përdoruesve.
Por nuk ka qenë vetëm videoja ajo që ka bërë bujë. Gazetarja ka publikuar edhe një fotografi nga i njëjti moment, të cilën e ka shoqëruar me mbishkrimin: “E kanë fajin ëndrrat, jo unë”.
Në reagimin e saj, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka sqaruar se masa ndaj pronarit të automjetit është marrë në bazë të disa dispozitave të Kodit Rrugor.
Policia ka përsëritur gjithashtu thirrjen drejtuar qytetarëve për të denoncuar çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke garantuar reagim në përputhje me ligjin.
Kështu, një video që fillimisht u publikua në rrjetet sociale si një moment i pazakontë, përfundoi me gjobë dhe tërheqje të patentës për pronarin e automjetit.




