Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjen e ish-finalistes së Big Brother VIP Kosova, Elijona Binakaj. Xhaxhai i saj, 38-vjeçari Rasim Binakaj, ka humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Gjakovë.
Sipas autoriteteve, të shtënat kanë ndodhur rreth orës 05:30 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se gjatë incidentit janë qëlluar me armë zjarri dy persona.
Për pasojë, Rasim Binakaj ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa personi tjetër i plagosur është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.
I dyshuari kryesor për këtë ngjarje është Nexhdet Zymberaj, pronari i lokalit “My Place”, ku dyshohet se ka nisur konflikti që përfundoi me të shtëna. Ai është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, ndërsa autoritetet po vijojnë kërkimet për kapjen e tij.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa prova materiale, përfshirë gëzhoja arme dhe një mjet të mprehtë. Prokuroria e ka klasifikuar rastin si “vrasje e rëndë” dhe hetimet janë në vijim.
Ngjarja përbën një tjetër goditje të dhimbshme për familjen e Elijona Binakaj. Në vitin 2021, pikërisht xhaxhai i saj kishte njoftuar publikisht për aksidentin tragjik në Kroaci, ku ish-banorja e reality show-t humbi nënën dhe motrën.





