Do punonte si opinionist në “Për’puthen”, por pas debatit me Ramën Top-Channel dënon ashpër Arjan Konomin...

Do punonte si opinionist në “Për’puthen”, por pas debatit me Ramën Top-Channel dënon ashpër Arjan Konomin...

Opinionisti Arjan Konomi ka reaguar publikisht mbrëmjen e kësaj të mërkure, duke bërë të ditur se është pezulluar nga Top Channel pas përplasjes që pati me kryeministrin Edi Rama në Vuno.

Përmes një postimi në Instagram, Konomi ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes, duke pretenduar se gjithçka ndodhi në një moment kur ai priste të formalizonte kontratën e tij me televizionin.

Instagram Reel
DdE3nnTNiHt

Sipas opinionistit, që prej 15 gushtit ai ishte kontaktuar nga stafi i Top Channel për të firmosur kontratën, ndërsa situata ndryshoi papritur ditën kur ishte njoftuar për xhirimet e reklamës së emisionit “Për’puthen”.

“Ka që pas 15 gushtit që nga zyrat e Topit më marrin për të firmosur kontratën. Dhe ditën që më lajmëruan për t’u paraqitur për xhirimin e reklamës së emisionit ‘Për’puthen’, një orë më pas më lajmërojnë që jam pezulluar”, shkruan Konomi.

Ai tregon se xhirimet më pas u shtynë për një ditë tjetër, ndërsa sipas tij nuk pati më komunikim lidhur me rikthimin e tij në ekran.

Një tjetër pretendim i bërë nga Konomi lidhet me qëndrimet e tij publike. Opinionisti thotë se i është kërkuar të mos shprehte qëndrime politike në rrjetet sociale dhe të mos merrte pjesë në protesta, pasi konsiderohej si një nga imazhet e televizionit.

“Mu kërkua që të mbyllja gojën në rrjete sociale, që mos të shprehja qëndrime politike apo të merrja pjesë në protesta pasi jam imazh i televizionit. Natyrisht nuk e pranova”, deklaron ai.

Konomi argumenton se “Për’puthen” nuk është një format politik dhe se bindjet apo qëndrimet e tij personale nuk duhet të ndikojnë në marrëdhënien e tij profesionale me televizionin.

Në fund të reagimit, ai e ka lidhur situatën me lirinë e fjalës dhe të medias, duke ironizuar hapur qëndrimin që, sipas tij, ka mbajtur Top Channel.

“Për lirinë e fjalës dhe të mendimit, për lirinë e medias dhe lirinë e shtypit një bravo të madhe Top Channel-it”, përfundon ai.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Top Channel nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e Arjan Konomit.