“Mbrojini gratë sa janë ende gjallë”/ Beatrix Ramosaj i del në krah Drenusha Latifit...

Beatrix Ramosaj via Instagram
Beatrix Ramosaj via Instagram

Deklaratat e fundit të Drenusha Latifit për betejën e saj ligjore dhe kujdestarinë e fëmijëve kanë nxitur reagime në rrjetet sociale. Mes personazheve publike që kanë shprehur mbështetjen e tyre është edhe këngëtarja Beatrix Ramosaj.

Pas rastit tragjik të Arlinda Zekajt, që ka tronditur opinionin publik, shumë figura të njohura kanë ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave dhe për mënyrën se si funksionojnë institucionet e drejtësisë.

Në këtë kontekst, Drenusha ndau përvojën e saj personale, duke treguar se prej tre vitesh përballet me procese gjyqësore dhe se pret që kujdestaria e fëmijëve t’i besohet zyrtarisht asaj, pavarësisht se, sipas deklaratës së saj, kujdeset e vetme për ta.

Reagimi i Beatrix Ramosajt ishte emocional dhe mbështetës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtarja shprehu dhimbjen që ndjeu pasi lexoi fjalët e Drenushës, duke thënë se ato ia kishin thyer zemrën.

Beatrix theksoi se, edhe pas gjithçkaje që Drenusha ka përjetuar, ajo vijon të kërkojë, të presë dhe të luftojë për të siguruar qetësinë dhe sigurinë për veten dhe fëmijët e saj.

Më tej, këngëtarja nënvizoi se asnjë grua nuk duhet të detyrohet ta dëshmojë vazhdimisht dhimbjen e saj vetëm që të merret seriozisht. Sipas saj, Drenusha meriton të dëgjohet, të mbrohet dhe të jetojë e sigurt, pa pasur frikë për veten apo për fëmijët.

Në fund të reagimit, Beatrix përcolli edhe një mesazh të fortë për shoqërinë dhe institucionet, duke bërë thirrje që gratë të mbrohen përpara se të jetë tepër vonë.

“Mbrojini gratë tona sa janë ende gjallë. Mos prisni që thirrjet e tyre për ndihmë të shndërrohen në fjalë që i lexojmë gjatë zisë.”

Beatrix Ramosaj via Instagram Story