Gazetari zbardh konfliktin që çoi në arrestimin e Gjestit: në qendër një kontratë dhe përplasja në zyrë…

Gjesti via Instagram
Gjesti via Instagram

Arrestimi i reperit Gjesti ka shkaktuar shumë reagime, ndërsa detaje të reja mbi ngjarjen janë bërë publike nga gazetari kosovar Arbër Zeka gjatë një interviste në Shqipëria Live.

Sipas tij, konflikti lidhet me një kontratë që artisti kishte nënshkruar para se të hynte në Big Brother VIP Kosova me Erkand Shabani nga kompania Onima. Marrëveshja parashikonte që fitimet nga platformat muzikore të ndaheshin 30% për Gjestin dhe 70% për menaxhmentin, për një periudhë 5-vjeçare me mundësi zgjatjeje.

Pas daljes nga reality show me famë të madhe, Gjesti thuhet se ka kërkuar prishjen e kësaj kontrate dhe ka tentuar të kalojë nën menaxhimin e Bonart Ajazi. Megjithatë, sipas raportimeve, kjo kërkesë nuk është pranuar nga pala tjetër.

Gazetari tregoi se gjatë një takimi në zyrat e kompanisë situata është tensionuar dhe janë përplasur disa sende në zyrë. Pas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit ndaj reperit u gjet edhe një armë pa leje, çka çoi në arrestimin e tij.

Sipas Zekës, në aspektin ligjor kontrata mbetet e vlefshme, pasi është firmosur nga të dyja palët, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.