Banori i Big Brother VIP Albania 5, Mali, shpërtheu në rrëfime emocionuese mbrëmjen e djeshme, duke treguar për sfidat e tij familjare.
Këngëtari foli për marrëdhënien e komplikuar me babanë dhe për dashurinë e pakushtëzuar të nënës së tij, Violeta Kukaj, të cilën e cilësoi si heroinë personale.
“Marrëdhënia me nënën është shumë e veçantë për mua. Ajo ka qenë gjithmonë pranë dhe më ka mbështetur në çdo koncert apo ngjarje. Babai, nga ana tjetër, nuk ishte i drejtë. Gjithçka që kishim ndërtuar u shkatërrua nga ai. Mendonte vetëm për vete dhe shiti gjithçka pa na vlerësuar neve apo nënën. Nëna faloi shumë, dhe vendimi më i logjikshëm ishte ndarja,” rrëfeu Mali mes lotësh.
Ai vazhdoi duke përshkruar momentet e frikshme të natës: “Shpesh në gjumë dëgjoja zhurma të mëdha dhe ngrihesha për të parë çfarë po ndodhte. Babai nuk ka qenë njeri i mirë. Kujtimi i fundit është kur firmosën letrat dhe i tha nënës: ‘S’kam me të lënë pa të shkatërru’. Nuk e kam kuptuar kurrë, por e pranova. Fjalën ‘babë’ e kam thënë shumë rrallë vitet e fundit.”
Në kontrast me këtë, Mali e përshkroi nënën si një inspirim të vazhdueshëm: “Nënën e kam heroi im. Ka luajtur rolin e nënës dhe babës. Për të krijova këngën time, shpresoj ta kem bërë krenare,” shtoi ai.
Pas këtij rrëfimi të ndjerë, Mali u surprizua me një takim të veçantë me nënën e tij, artisten e njohur Violeta Kukaj, një moment që emocionoi jo vetëm banorin, por edhe të gjithë publikun.
Foto: Top Channel





