Në një moment kur emri i saj po përmendet gjithnjë e më shumë në lidhje me sezonin e ardhshëm, Alketa Vejsiu ka tërhequr sërish vëmendjen me një postim që lidhet drejtpërdrejt me “Big Brother VIP Albania”.
Moderatorja ka ripublikuar një video nga eksperienca e saj e fundit në spektakël, ku shfaqet në ambientet e BBVIP, gjatë një prej netëve live të edicionit të pestë. Në atë kohë, Vejsiu ishte e ftuar në program, duke zëvendësuar përkohësisht Arbër Hajdarin në rolin e opinionistes.
Në videon e publikuar, Alketa përcjell një mesazh mbi dashurinë dhe rëndësinë e shpirtit përtej pamjes së jashtme.
“Mjerë ata që kanë dashur dhe njohur në jetë trupin, pamjen, formën. Ato do t’i marrë të gjitha vdekja… dhe lum ata që kanë dashuruar shpirtin. Ata do ta gjejnë përsëri, edhe në jetën tjetër”, shprehet Alketa Vejsiu.
Alketa Vejsiu via Instagram Story
Por ajo që e bën këtë postim edhe më interesant është momenti në të cilin Alketa ka zgjedhur ta rikthejë videon. Prej ditësh, emri i saj është përfolur si një prej figurave që mund t’i bashkohet “Big Brother VIP Albania 6”.
Gazetari Elton Tozaj deklaroi së fundmi se Alketa do të jetë pjesë e edicionit të ri, ndonëse nuk bëri të ditur nëse ajo do të ketë rolin e moderatores apo opinionistes.
Dyshimet u shtuan edhe më shumë pasi vetë Vejsiu pëlqeu në Instagram videon ku Tozaj fliste për përfshirjen e saj të mundshme në BBVA 6.
Tashmë, edhe rikthimi i pamjeve nga BBVIP në profilin e saj po shihet me kureshtje nga ndjekësit. Megjithatë, kjo lëvizje nuk përbën një konfirmim zyrtar se Alketa do të jetë pjesë e sezonit të ri.
Deri në një njoftim zyrtar, mbetet ende mister nëse Alketa Vejsiu do të rikthehet në “Big Brother VIP Albania” dhe, mbi të gjitha, çfarë roli do të ketë në edicionin e gjashtë.




