Vrasja e Tupac shkon në gjyq pas 30 vitesh: Prokuroria zbulon prapaskenat e atentatit dhe përplasjen mes bandave...

Vrasja e Tupac shkon në gjyq pas 30 vitesh: Prokuroria zbulon prapaskenat e atentatit dhe përplasjen mes bandave...

Pas afro tre dekadash mister, një prej çështjeve më të bujshme në historinë e muzikës amerikane ka mbërritur më në fund në sallën e gjyqit. Në Las Vegas ka nisur procesi ndaj Duane “Keffe D” Davis, i akuzuar për përfshirjen në organizimin e atentatit që i mori jetën legjendës së hip-hopit Tupac Shakur.

Sipas prokurorisë, vrasja ishte një akt hakmarrjeje që erdhi pas një përplasjeje mes Tupac dhe Orlando Anderson, nipit të Davis, në Las Vegas. Prokurori Binu Pilal argumenton se konflikti mes dy burrave u kthye në shkëndijën që çoi më pas drejt atentatit.

Akuza pretendon se Davis siguroi armën dhe organizoi sulmin, ndërsa personi që ndodhej në sediljen e pasme të automjetit hapi zjarr ndaj makinës ku udhëtonte reperi.

Mbrëmjen e 7 shtatorit 1996, rreth dy orë e gjysmë pas përleshjes, Tupac po udhëtonte me një BMW në Las Vegas së bashku me njerëzit e tij, kur një Cadillac i bardhë iu afrua automjetit.

Nga makina u qëlluan disa plumba, duke plagosur rëndë Tupac Shakurin, i cili ishte vetëm 25 vjeç.

Reperi u dërgua menjëherë në spital, por gjendja e tij u përkeqësua. Gjashtë ditë më vonë, më 13 shtator 1996, Tupac ndërroi jetë.

Vrasja mbeti e pazbardhur për dekada, duke u shndërruar në një prej mistereve më të mëdha të historisë së hip-hopit.

Sipas prokurorisë, Davis ka bërë ndër vite një sërë deklaratash për ngjarjen, si në intervista, ashtu edhe në komunikimet me autoritetet dhe në kujtimet e tij të publikuara në vitin 2019. Këto deklarata pritet të kenë një rol të rëndësishëm gjatë procesit.

Por Duane “Keffe D” Davis, tashmë 63 vjeç, i mohon akuzat.

Mbrojtja e tij argumenton se prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësinë e Davis për vrasjen.

Avokatët kanë vënë gjithashtu në pikëpyetje mënyrën se si është zhvilluar hetimi gjatë dekadave, duke kërkuar që juria të mos mbështetet vetëm te deklaratat e bëra shumë vite pas ngjarjes.

Tupac Shakur, i njohur në mbarë botën si 2Pac, ishte vetëm 25 vjeç kur u vra. Pavarësisht karrierës së shkurtër, ai u shndërrua në një prej figurave më të rëndësishme të kulturës hip-hop dhe një prej zërave kryesorë të rivalitetit mes skenës së Bregut Lindor dhe asaj të Bregut Perëndimor.

Këngë si “California Love” dhe albumi “All Eyez on Me” e konsoliduan statusin e tij si një ikonë globale, ndërsa vdekja e parakohshme vetëm sa e forcoi legjendën rreth emrit të tij.

Çështja mori një kthesë vendimtare dekada më vonë, kur Davis nisi të fliste publikisht për ngjarjen dhe publikoi kujtimet e tij. Megjithatë, ai më vonë u tërhoq nga disa prej deklaratave, duke pretenduar se disa prej tyre ishin ekzagjeruar ose ishin shkruar nga persona të tjerë.

Tashmë, pas rreth 30 vitesh, fjalën e ka juria. Procesi do të përcaktojë nëse Duane “Keffe D” Davis mban përgjegjësi penale për një prej vrasjeve më të bujshme në historinë e muzikës.

Nëse shpallet fajtor, Davis përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.