Një incident i papritur gjatë koncertit të fundit të Gjestit në një club në kryeqytet ka shpërthyer menjëherë në rrjetet sociale, duke nxitur reagime dhe debate të shumta mes fansave.
Teksa artisti po performonte në skenë i shoqëruar nga DJ Gimbo, një problem teknik me mikrofonin ka prishur performancën dhe ka krijuar një moment tensioni para publikut.
Në videot që po qarkullojnë online, shihet qartë momenti kur mikrofoni i Gjestit shkëputet papritur. Megjithatë, muzika dhe vokali i këngës vazhdojnë të dëgjohen normalisht në sfond, gjë që ka ngritur menjëherë dyshime se performanca nuk ishte plotësisht live.
Pamjet tregojnë një Gjesti të acaruar, i cili kthehet menjëherë nga DJ Gimbo dhe i drejtohet me nervozizëm:
“Pse e lëshove?”
Për disa sekonda, artisti duket i tensionuar dhe i irrituar në skenë, ndërsa publiku mbeti i habitur nga situata.
Videoja është bërë virale në rrjet, ku shumë ndjekës kanë komentuar momentin, duke diskutuar mbi performancat live dhe përdorimin e vokaleve të regjistruara gjatë koncerteve.




