Debati i krijuar pas publikimit dhe qarkullimit të disa videove intime në rrjet vijon të përfshijë emra të njohur të medias shqiptare, ndërsa përplasja publike tashmë është zhvendosur edhe te qëndrimet e personazheve për këtë çështje.
Pas reagimit të Ori Nebijajt, e cila kritikoi publikimin dhe shpërndarjen e pamjeve private, gazetari Elton Tozaj ka reaguar sërish në rrjetet sociale.
Moderatorja e Top Channel u shpreh se thelbi i skandalit nuk duhet të jetë jeta intime e personave të përfshirë, por cenimi i privatësisë së tyre dhe mënyra se si pamjet intime përfundojnë në duart e publikut.
“Në fakt, skandali nuk është jeta intime e njerëzve. Skandali është thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra si ne i presim, i kërkojmë e i shpërndajmë ato pamje”, shkroi ndër të tjera Nebijaj.
Por deklarata e saj duket se ka shkaktuar reagimin e Tozajt.
Gazetari ka publikuar në Instagram Story një pjesë të reagimit të moderatores, duke iu drejtuar asaj me tone të forta.
“Ky është më skandal se skandali! Të quash jetë intime normale këtë që po ndodh, o je pjesë e videove ose ka diçka tjetër në këtë mes!”, shkruan Tozaj.

Elton Tozaj via Instagram Story
Kështu, debati është shndërruar në një përplasje publike mes Tozajt dhe Nebijajt, me dy figurat e medias që shfaqin qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar çështja.
Ndërsa Nebijaj e ka vendosur theksin te cenimi i privatësisë dhe përgjegjësia për filmimin apo shpërndarjen e pamjeve pa pëlqim, Tozaj e kundërshton këtë qasje dhe lë të kuptohet se pas materialeve mund të fshihet një çështje tjetër.
Megjithatë, pretendimi i gazetarit se mund të ketë “diçka tjetër në këtë mes”, si dhe insinuata ndaj moderatores, nuk shoqërohen në reagimin e publikuar me prova apo fakte që ta mbështesin këtë pretendim.




