Një incident i rrezikshëm ka ndodhur pranë banesës luksoze të këngëtares së njohur botërore Rihanna në Beverly Hills. Sipas raportimeve policore, mesditën e së dielës një grua rreth të 30-ave ndaloi automjetin e saj jashtë pronës së artistes dhe qëlloi shtatë herë në drejtim të vilës para se të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Video: /lokimagazine
Burime nga policia bëjnë të ditur se këngëtarja ndodhej brenda shtëpisë në momentin e incidentit, por fatmirësisht askush nuk pësoi lëndime. Oficerët që mbërritën në vendngjarje gjetën disa gëzhoja që dyshohet se i përkasin një arme sulmuese.
Autorja e dyshuar u identifikua dhe u arrestua rreth 12 kilometra larg banesës së artistes, ndërsa identiteti i saj nuk është bërë ende publik nga autoritetet.
Kujtojmë se Rihanna ka tre fëmijë me partnerin e saj, reperin A$AP Rocky: vajzën e lindur në shtatorin e kaluar dhe dy djemtë, Riot dhe RZA.





