“Sa gra duhet të vdesin që t’i marrim seriozisht?”/ Dafina Zeqiri revoltohet pas vrasjes së Arlindës...

Dafina Zeqiri via Instagram
Dafina Zeqiri via Instagram

Vrasja tragjike e Arlinda Sylaj-Zekajt ka shkaktuar reagime të shumta në skenën shqiptare. Mes personazheve publike që kanë shprehur dhimbjen dhe zemërimin për këtë ngjarje është edhe këngëtarja Dafina Zeqiri, e cila ka drejtuar kritika të forta ndaj sistemit dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e grave.

Përmes një postimi në InstaStory, artistja ka reaguar për humbjen e një tjetër jete, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si trajtohen rastet e grave që denoncojnë dhunën dhe kërkojnë ndihmë nga autoritetet.

“E dashur Arlinda, sistemi ka dështu edhe njëherë”, ka shkruar Dafina në mesazhin e saj prekës.

Këngëtarja ka ngritur shqetësimin për gratë që kërkojnë mbrojtje, por nuk arrijnë ta marrin atë në kohë, pavarësisht frikës dhe paralajmërimeve për rrezikun që u kanoset. Sipas mesazhit të saj, denoncimet dhe kërkesat për ndihmë duhet të trajtohen me seriozitet maksimal, përpara se situatat të përfundojnë në tragjedi.

Në vijim të reagimit, Dafina ka ndarë edhe një pyetje të fortë, që rikthen në vëmendje shqetësimin për përsëritjen e rasteve të dhunës ndaj grave.

“Sa gra duhet me vdekë, deri sa me fillu me i marrë seriozisht thirrjet e tyne për ndihmë?”, është shprehur artistja.

Dafina Zeqiri via Instagram Story

Reagimi i Dafina Zeqirit vjen në një kohë kur rasti i Arlindës ka nxitur diskutime të shumta mbi përgjegjësinë institucionale dhe nevojën për masa konkrete për mbrojtjen e grave në rrezik.

Mesazhi i këngëtares shkon përtej dhimbjes për humbjen e 49-vjeçares, duke vënë theksin te domosdoshmëria që çdo denoncim për dhunë apo kërcënim të merret seriozisht dhe që mbrojtja e grave të garantohet përpara se të jetë tepër vonë.