Përplasja mes Selin Bollati dhe Rogertit vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes edhe pas përfundimit të Big Brother VIP Albania.
E gjithë situata nisi kur Rogerti u bë viral në një club duke kënduar vargjet “ala-ja Selina, ala-ja Dubai”, të cilat më pas i shndërroi në një projekt muzikor në bashkëpunim me Don Phenom.
Kjo nuk kaloi pa reagim nga Selin, e cila në një intervistë la të kuptohej se ishte këshilluar për ta çuar çështjen në gjyq, për shkak të përdorimit të emrit të saj, edhe pse theksoi se nuk kishte ndërmend ta bënte një hap të tillë.
I pyetur për këtë situatë, Rogerti reagoi me tone ironike, duke sqaruar se në këngë nuk përmendet drejtpërdrejt emri i saj: sipas tij, “Selin” dhe “Selina” nuk janë e njëjta gjë, madje ai shtoi se “Selina” ka një kuptim tjetër, që lidhet me fjalën dritë në arabisht.
Kur u përball me pyetjen nëse e shqetëson mundësia e një padie, ai u shfaq i sigurt dhe sfidues, duke deklaruar se nuk ka frikë nga përballja ligjore dhe se është gati për çdo skenar.
Madje, me humor, Rogerti shtoi se nëse çështja shkon në gjykatë, ai do ta kthejë situatën në një “show”, duke thënë se do të qeshë, do të kërcejë dhe madje do të përfshijë edhe gjyqtarin në atmosferën e tij.




