Pas lajmit se Megi Pojani nuk do të vijojë në drejtimin e “Për’puthen”, kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë të personazheve që mund të marrin drejtimin e formatit në sezonin e ri.
Edhe pse Top Channel nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar për pasuesen e Megit, dy emrat që po përfliten më shumë janë Heidi Baci dhe Selin Bollati.
Heidi Baci është një prej emrave të njohur për publikun pas pjesëmarrjes në “Big Brother VIP Albania 3”. Ajo ka krijuar tashmë eksperiencë në televizion dhe moderim, pasi ka qenë pjesë e “Goca dhe Gra”, ndërsa më pas ka drejtuar “Big Brother VIP Fan Club” dhe së fundmi është shfaqur edhe në “Wake Up”.
Emri tjetër që po qarkullon është Selin Bollati, fituesja e “Big Brother VIP Albania 5”. Pas triumfit në reality show, Selin ka vijuar të jetë në qendër të vëmendjes dhe mjaft aktive në rrjetet sociale.
Për momentin, nuk dihet se cila prej tyre është më pranë drejtimit të “Për’puthen”, ndërsa nga Top Channel nuk ka ende një konfirmim zyrtar.
Ajo që duket e sigurt është se sezoni i ri pritet të sjellë një tjetër figurë në krye të programit. Megi Pojani e drejtoi “Për’puthen” që prej vitit 2023, ndërsa tani formati është në kërkim të moderatores së re.
Nëse zgjedhja përfundimtare do të jetë Heidi Baci, Selin Bollati apo një emër tjetër, pritet të zbulohet me afrimin e sezonit të ri televiziv.




