Rikthimi i Agron Llakajt në “Portokalli” është shoqëruar me reagime të shumta pas një prej skeçeve humoristike të programit, ku u trajtua me ironi tema e protestave.
Në të njëjtën kohë, në rrjet është rikthyer në vëmendje edhe një detaj që lidhet me familjen e aktorit. Bëhet fjalë për vajzën e tij, Alkida Llakaj, e cila mban një pozicion drejtues në administratën shtetërore.
Sipas të dhënave të publikuara, Alkida Llakaj është Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, institucion që është në varësi të ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë është institucioni përgjegjës për sistemin e matjeve në vend, duke përfshirë kontrollin dhe verifikimin e instrumenteve matëse, si dhe mbikëqyrjen në fushën e metrologjisë.
Por ky nuk është i vetmi rol që është vënë në dukje. Alkida Llakaj figuron gjithashtu mes personave të shpallur fitues për pranimin në Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues (TND), pjesë e sistemit të administratës së lartë shtetërore.
Të dhënat kanë nxitur diskutime në rrjet, ku disa përdorues kanë ngritur pikëpyetje mbi trajtimin që “Portokalli” i bëri protestës dhe qëndrimin e Agron Llakajt ndaj saj, duke pasur parasysh edhe pozicionin publik që mban vajza e tij.
Debati vjen menjëherë pas rikthimit të Agron Llakajt në drejtimin e “Portokalli”, ndërsa mbetet për t’u parë nëse aktori do të reagojë ndaj kritikave të fundit.




