Detaje të reja janë bërë publike lidhur me dëshminë e Eli Farës në Policinë e Tiranës, pas publikimit dhe shpërndarjes së videove intime që kanë qarkulluar në rrjet.
Sipas burimeve policore të cituara në media, këngëtarja ka deklaruar se nuk kishte dijeni se po filmohej dhe se nuk ishte në dijeni për ekzistencën e kamerave në ambientin ku janë regjistruar pamjet.
“Jo, jo, nuk kam dijeni që jam filmuar”, mësohet të ketë deklaruar Fara gjatë dëshmisë.
Një tjetër detaj i rëndësishëm lidhet me denoncimin e këngëtares. Ndryshe nga raportimet e mëparshme, sipas informacioneve të fundit, kallëzimi i saj nuk është drejtuar ndaj Adrian Hilës.
Fara mësohet se ka denoncuar publikimin dhe shpërndarjen e materialeve, duke kërkuar që autoritetet të identifikojnë personin ose personat që i kanë siguruar dhe më pas i kanë nxjerrë në internet.
Sipas të njëjtave informacione, gjatë dëshmisë së saj, këngëtarja nuk ka ngritur pretendime ndaj Adrian Hilës lidhur me filmimin apo publikimin e videove. Madje, ajo është shprehur se Hila nuk është personi që i ka shpërndarë materialet.
Ndërkohë, edhe Adrian Hila është marrë në pyetje nga ekspertët e Krimit Kibernetik në Policinë e Tiranës. Kompozitori i është përmbajtur versionit të dhënë më herët, sipas të cilit materialet mund të jenë marrë përmes një ndërhyrjeje të paautorizuar në sistemin e kamerave.
Hetuesit po verifikojnë këtë pistë, krahas rrethanave të regjistrimit dhe mënyrës se si videot kanë përfunduar në duart e personave që më pas i kanë publikuar apo shpërndarë.
Këto të dhëna të reja bien ndesh me një raportim të mëparshëm të gazetarit Andi Vrapi, sipas të cilit Eli Fara kishte bërë denoncim ndaj Adrian Hilës.
Sipas informacioneve të fundit të atribuuara burimeve policore, denoncimi i këngëtares lidhet me publikimin dhe shpërndarjen e videove, dhe jo me një kallëzim të drejtpërdrejtë ndaj kompozitorit.




