Një epokë merr fund! Ermonela Jaho i jep lamtumirën Violetës, rolit që e bëri ikonë të operës botërore...

Një epokë merr fund! Ermonela Jaho i jep lamtumirën Violetës, rolit që e bëri ikonë të operës botërore...

Një nga kapitujt më të ndritur në karrierën e Ermonela Jahos është mbyllur me emocione të mëdha. Në skenën e Teatro CostanziRomë, sopranoja shqiptare interpretoi për herë të fundit Violetën në kryeveprën “La Traviata”Giuseppe Verdit, rolin që e ngriti mes emrave më të mëdhenj të operës ndërkombëtare.

Pas afro 300 interpretimeve në skenat më prestigjioze të botës, përfshirë Royal Opera House në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Opéra National de Paris, Bayerische Staatsoper dhe Teatro Real në Madrid, artistja vendosi t’i japë fund një personazhi që është bërë pjesë e identitetit të saj artistik.

Për më shumë se dy dekada, Ermonela Jaho ka emocionuar publikun dhe kritikët me interpretimin e saj të thellë, duke e kthyer Violetën në një rol që jetonte përmes zërit, ndjeshmërisë dhe interpretimit të saj unik.

Edhe para publikut të Romës, sopranoja shqiptare u prit me vlerësime maksimale. Kritika ndërkombëtare theksoi se Jaho nuk e interpreton thjesht Violetën, por e mishëron atë në çdo detaj, duke i dhënë personazhit një intensitet të rrallë artistik. Veçanërisht, akti i tretë i operës u cilësua si kulmi emocional i mbrëmjes.

Produksioni, i cili shënon dhjetë vite në repertorin e Operës së Romës, u realizua nën regjinë e Sofia Coppola, me skenografi nga Nathan Crowley, kostume të Valentino Garavani dhe drejtim muzikor nga dirigjenti Francesco Ivan Ciampa. Në skenë, Jaho u shoqërua nga tenori Dmitry Korchak në rolin e Alfredos dhe baritoni Amartuvshin Enkhbat si Giorgio Germont.

Për kritikët e muzikës klasike, Ermonela Jaho mbetet një nga Violetat më të jashtëzakonshme të brezit të saj. Lamtumira nga ky rol historik nuk shënon vetëm fundin e një interpretimi të suksesshëm, por edhe mbylljen e një kapitulli të artë në karrierën e artistes shqiptare, e cila ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në skenat më të rëndësishme të operës botërore.