Ish-konkurrentja e “Big Brother VIP Albania 5”, Armela Hyseni, ka zbuluar një episod të pazakontë nga jeta e saj jashtë ekranit, duke treguar se ka marrë një mesazh nga ylli brazilian i futbollit, Neymar.
E ftuar në “Top Arena”, Armela ka rrëfyer se kontakti ka ndodhur disa vite më parë, në periudhën kur Neymar ishte pjesë e Paris Saint-Germain F.C.. Sipas saj, futbollisti i kishte shkruar dhe madje e kishte ftuar për një takim në Paris.
“E kam ende në telefon. Në atë kohë luante me PSG dhe më ftoi edhe për ta takuar në Paris”, tregoi ajo gjatë intervistës.
Deklarata solli reagime nga të pranishmit në studio, ndërsa biseda vijoi edhe me pyetje rreth preferencave të saj për futbollistët.
Armela zbuloi se aktualisht vëmendjen e saj e tërheqin më shumë arbitrat sesa lojtarët, duke përmendur edhe arbitrin slloven Slavko Vinčić.
Në një lojë me zgjedhje të shpejta, ajo zgjodhi Cristiano Ronaldo për martesë, Michael Olise për një darkë, ndërsa për Neymarin tha me shaka se do ta bllokonte.
Në fund, Armela la të kuptohet se ka marrë edhe mesazhe të tjera nga figura të njohura të futbollit, por pa zbuluar emra.




