“Ne e humbëm beben”/ Ish-banorja e Big Brother VIP ndan rrëfimin prekës...

“Ne e humbëm beben”/ Ish-banorja e Big Brother VIP ndan rrëfimin prekës...

Ledi Vokshi, ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova 2”, ka ndarë me ndjekësit një nga momentet më të dhimbshme të jetës së saj, duke zbuluar se ajo dhe familja e saj kanë humbur foshnjën që prisnin.

Përmes një postimi prekës në Instagram, këngëtarja dhe sipërmarrësja tregoi se kishte planifikuar të ndante lajmin e bukur të shtatzënisë, një ëndërr për të cilën ishte lutur prej tre vitesh, por fati mori një tjetër rrjedhë.

“Ky nuk ishte postimi që kisha planifikuar të shkruaja. Do të njoftoja një moment për të cilin jam lutur për 3 vite. Në vend të kësaj, po ndaj një humbje. Po e ndaj këtë sepse shumë gra e mbajnë këtë dhimbje vetëm… Nëse keni qenë në këtë situatë, unë po ju mbaj dorën nga ku do që jeni,” shkroi ajo.

Me këtë mesazh, Ledi Vokshi u solidarizua me të gjitha gratë që kanë kaluar të njëjtën përvojë, duke theksuar se humbje të tilla nuk duhet të përjetohen në heshtje dhe vetmi.

Kjo nuk është hera e parë që ajo flet për dhimbjet e saj personale. Gjatë pjesëmarrjes në “Big Brother VIP Kosova 2”, Ledi kishte treguar se, brenda një periudhe të shkurtër, kishte përjetuar humbjen e dy shtatzënive, si edhe ndarjen nga jeta të babait të saj.

Pavarësisht kësaj sprove të vështirë, ajo vazhdon të gjejë forcë te familja e saj. Ledi Vokshi është nënë e dy djemve, të cilët i ka cilësuar vazhdimisht si mbështetjen dhe motivimin më të madh në jetën e saj.

Postimi i saj është shoqëruar me mesazhe të shumta mbështetjeje dhe solidariteti, ndërsa shumë ndjekës kanë vlerësuar guximin e saj për të folur hapur mbi një përvojë kaq të dhimbshme.