Babai i Eduart Kuçit, Arsim Kuçi, ka reaguar për herë të parë pas videos që është bërë virale në rrjetet sociale, ku djali i tij shihet duke u dhunuar nga Jozefin Marku.
Në një prononcim të shkurtër për emisionin “Shqipëria Live”, Arsim Kuçi tregoi se familja e ka përjetuar rëndë ngjarjen, ndërsa theksoi se për momentin nuk dëshiron të japë më shumë komente në media.
Ai sqaroi gjithashtu se disa prej postimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale nuk janë publikuar prej tij dhe as me iniciativën e tij.
“Faleminderit për interesimin tuaj. Ju jemi mirënjohës. E kemi përjetuar shumë keq ngjarjen, sepse Shqipëria është vendi i shqiptarëve. Për këtë arsye kam lejuar djalin tim të marrë pjesë në Top Channel në fillimet e karrierës. Por nga ky rast jemi të shokuar dhe pa fjalë”, u shpreh ai.
Më tej, babai i Eduart Kuçit bëri edhe një sqarim lidhur me reagimet online: “Sa i përket asaj që postohet, dua të sqaroj se postimet që qarkullojnë nuk janë bërë nga unë dhe as me iniciativën time”.
Në fund, Arsim Kuçi theksoi se aktualisht nuk është i gatshëm të dalë më gjatë në media, pasi, sipas tij, nuk ka më shumë për të thënë rreth situatës.
“Për momentin nuk jam i gatshëm të jem prezent në media, sepse nuk kam çfarë të them më shumë. Me respekt, Arsim Kuçi”, përfundoi ai.




