Jonida Vokshi nuk do të jetë pjesë e moderimit të edicionit të pestë të “Big Brother VIP Kosova”. Pas katër sezonesh në drejtimin e spektaklit, moderatorja ka vendosur të bëjë një pauzë, duke zbuluar edhe arsyen që fshihet pas këtij vendimi.
Përmes një postimi në Instagram, Jonida ka rrëfyer se rrugëtimi i saj në BBVK ka qenë ndër periudhat më intensive të jetës së saj, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal. Gjatë këtyre viteve ajo ka përjetuar momente të rëndësishme, nga shtatzënia deri te humbja e të atit, ndërsa spektakli i ka dhuruar edhe emocione të shumta dhe një lidhje të veçantë me publikun.
Megjithatë, këtë herë familja duket se ka marrë përparësi. Moderatorja ka shpjeguar se ndien nevojën të ngadalësojë ritmin e angazhimeve dhe t’u kushtojë më shumë kohë dy fëmijëve të saj, të cilët po rriten ndërsa ajo ka qenë vazhdimisht e angazhuar me punë.
“Dy zëra më thërrasin mami. Ata po rriten dhe unë jam gjithmonë duke vrapuar”, ka shkruar Jonida, duke bërë të qartë se dëshira për të qenë më pranë fëmijëve ka ndikuar ndjeshëm në vendimin e saj.
Por largimi nga BBVK nuk është një lamtumirë nga televizioni. Vokshi ka bërë të ditur se dëshiron të fokusohet edhe në disa projekte personale që i ka menduar prej kohësh, duke lënë të kuptohet se së shpejti mund ta shohim sërish në angazhime të reja.
Madje, moderatorja ka lënë hapur edhe mundësinë e rikthimit në të ardhmen. “Një kapitull që nuk po e mbyll me pikë. Thjesht po vendos një presje”, ka shkruar ajo, duke e përshkruar vendimin si një pauzë dhe jo si një fund përfundimtar.
Në fund, Jonida i ka uruar suksese Alaudin Hamitit dhe Olsa Muhametit për edicionin e ri të spektaklit.
Ndërkohë, pas largimit të saj, një nga pikëpyetjet më të mëdha mbetet ende: kush do t’i bashkohet Alaudin Hamitit në moderimin e “Big Brother VIP Kosova 5”?




